Fernando Torres ka treguar se nuk ka ndër mend të largohet nga Çelsi në një të ardhme të afërt dhe se dëshiron të respektojë kontratën që e mban të lidhur me londinezët deri në vitin 2016.
Sulmuesi spanjoll ka shfaqur shumë vështirësi që në momentin kur u transferua për 50 milion paund nga radhët e Liverpulit te skuadra londineze, duke bërë që të lindin spekulime për një kthim të mundshëm te Atletiko Madrid, skuadra ku u bë i famshëm. Por sipas vetë lojtarit, një gjë e tillë nuk do të ndodhë para fundit të kontratës ekzistuese.
“Nuk e kam fshehur kurrë faktin se jam mirënjohës ndaj Atletiko pasi ai klub më ka dhënë mua shumë gjëra. Por realiteti është se unë jam pjesë e një skuadre tjetër tani dhe kam edhe 3 vite të mbetura në kontratën time. Unë kam ende shumë gjëra për t’i dhënë Çelsit si dhe shumë gjëra për t’i vërtetuar vetes para se të kthehem në shtëpi. Aktualisht, kthimi te Atletiko nuk është realitet”, shpjegoi sulmuesi 29 vjeçar.
Torres, pavarësisht shifrës së lartë të paguar për të, ka shënuar vetëm 29 gola në 116 ndeshje me Çelsin. Këto paraqitje të dobëta të tij kanë bërë që sulmuesi të humbasë edhe vendin në përfaqësuesen e Spanjës, ku ka qenë pjesë e sukseseve të padiskutueshme të viteve të fundit.
“Unë shpresoj që të jem në gjendje të kthehem në ekipin kombëtar. Hapi i parë është të bëj më të mirën me klubin tim dhe kjo do të më japë më tepër mundësi për t’u kthyer. Mendoj se ky brez në kombëtare mund t’u japë njerëzve ende shumë kënaqësi dhe mund të luajë në turne të tjerë përveç Botërorit 2014. Sigurisht, kthimi në kombëtare mbetet një nga objektivat kryesorë për mua”, pranoi Torres. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 09:23