Torino ka vendosur si objektiv kryesor të merkatos portierin e përfaqësueses shqiptare të futbollit, Samir Ujkani.
Skuadra që është kthyer në Serinë A pas disa vitesh mungesë, ëndërron që të kthehet edhe një herë në nivelet e mëparshme, duke filluar njëkohësisht një cikël fitues me lojtarë të rinj që kanë një të ardhme të garantuar.
Si rrjedhojë, portieri shqiptar shihet si alternativa më e mirë e mundshme për të mbrojtur katërkëndorin e këtij ekipi, duke parë formën e mirë që ka shfaqur në sezonin që sapo u mbyll me skuadrën e Novarës.
Por situata e Ujkanit është shumë e paqartë për faktin se ai duhet të bindë njëkohësisht dy ekipe që të lejojnë transferimin e mundshëm të tij. Lojtari është në bashkëpronësi mes Novarës dhe Palermos, më këto të fundit që do të dëshironin ta kishin përsëri pjesë të tyre në sezonin e ardhshëm.
Por Palermo për momentin nuk i garanton vendin e titullarit portierit shqiptar, i cili do të preferonte të qëndronte një tjetër vit në Serinë B vetëm e vetëm që të jetë në gjende të luajë rregullisht.
Situata do të qartësohet në muajin ardhshëm, kur Palermo do të vendosë nëse do të mbajë Vivianon, apo do ta largojë atë, duke i bërë vend mes titullarëve Ujkanit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë futbollisti shqiptar mund të zgjedhë të qëndrojë te Novara, apo të kërkojë shitjen te Torino.
Lojtari prej më shumë se një muaji është në fazë riaftësimi pasi ka pësuar një frakturë në dorë gjatë ndeshjeve të fundit të sezonit, për të cilën iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 May 2012 12:30