Leksioni që Bajern Mynih i dha Arsenalit në ndeshjen e Ligës së Kampioneve duke fituar 3-1 në fushën e londinezëve, duket se ka lënë shenjë te këta të fundit, të cilët janë shumë të ndërgjegjshëm se kanë para një mision të pamundur për të përmbysur gjithçka në ndeshjen e kthimit.
“Mos më keqkuptoni, duhet të jemi realistë dhe të themi se do të jetë shumë e vështirë për të kaluar turin”, ishin fjalët e Teo Uollkot pas ndeshjes. “Ata janë shumë të fortë në shtëpi dhe ne na duhet t’u shënojmë tre gola. Them se për momentin duhet të përqendrohemi që të kthemi sa më parë aty ku e meritojmë të qëndrojmë në renditjen e kampionatit”, ishin fjalët e futbollistit që mesa duket nuk mendon më për turneun evropian.
Edhe trajneri Venger ka deklaruar se Arsenali duhet të bëjë diçka “të pamundur” në mënyrë që të kalojë në turin tjetër të turneut.
“Të mos e fshehim të vërtetën, do të jetë shumë e vështirë, por ne do të mundohemi ta bëjmë të pamundurën të mundur. Duhet të shkojmë dhe të luajmë si në fushën tonë. Goli i tretë e bën gjithçka më të vështirë, por ne kemi si detyrë të provojmë”, deklaroi Venger pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 February 2013 09:35