Tifozët Kuq e Zi janë të vetmit adhurues futbolli, të themeluar enkas për të ndjekur dhe mbështetur Kombëtaren Shqiptare. Edhe pse nuk anojnë për ndonjë klub të caktuar, u ngjajnë shumë tifozëve të Liverpulit. Jo vetëm për të kuqen e përbashkët dominante, por edhe për besnikërinë.
Përveç se janë “lojtari i dymbëdhjetë” i Shqipërisë, përzihen edhe në punët tjera. Jashtë shkallëve të stadiumit, reagojnë ashpër kur dikush e prekë ose përdhosë Flamurin Kuq e Zi.
Rivendosën në Sheshin “Nëna Tereze” flamujt me shqiponjë gjatë vizitës së Sekretares Klinton, ndërsa protestuan bashkë me studentët, kur huliganët serbë dogjën simbolin tonë kombëtar.
Njerëzit që përbëjnë grupin e Tifozëve Kuq e Zi përpiqen ta jetojnë një jetë pa kufij e kufizime brenda hapësirave shqiptare.
Nëse jo shumë shpejt fizikisht, të paktën bile shpirtërisht. Tashmë, kur gati po mbushin shtatë vjet ekzistimi, janë shtrirë thuajse gjithkund ku jetojnë shqiptarët. Brenda dhe jashtë trojeve tona etnike.
Nëse nuk mund të bëhen bashkë diku tjetër, këta adhurues futbolli bashkohen në stadium. Sidomos në “Qemal Stafa”. Tash kjo bëhet shumë më lehtë, nëpërmjet autostradës.
Njëri nga ata, përfaqësuesi i Tifozëve për Prishtinë, shpjegon: “Kam shoqëri në Tuz e Shkodër, Preshevë, Kumanovë e Tiranë. Neve, nuk na bashkon më vetëm stadiumi. Jemi aq të lidhur me njëri-tjetrin, saqë të gjithë pa dallim po i harrojmë shoqëritë tona të dikurshme. Jemi shpërndarë kudo. Edhe nëpër diasporë. Organizohemi dhe shkojmë edhe në ndeshjet që kombëtarja jonë i luan jashtë. Së shpejti Shqipëria askund nuk do të jetë vetëm”.
Ai flet edhe për formën e Përfaqësueses. Edhe për kualifikimet Euro 2012. Thotë se nuk duhet të luajmë kundër vetvetes, por kundër të tjerëve. Se nuk duhet të themi tash jemi më të mirë, ose dikur ishim të tillë. Sepse, kjo na dëmton. Na humb energji. Megjithëse e pret me padurim pjesëmarrjen e Shqipërisë në ndonjërin nga kampionatet botërore, a evropiane të futbollit, nuk brengoset shumë për rezultatet. E di se Kombëtarja do t’ia dalë herët a vonë. Me këta, ose me lojtarët që do të vijnë. Për këtë jemi tifoz dhe ne gjithmonë kemi shpresën që na mban.
Thursday, 19 May 2011 09:53