Sulmuesi spanjoll, Fernando Lorente, ka përgënjeshtruar përsëri klubin e Atletik Bilbao, duke deklaruar se mosshfaqja e tij para gazetarëve në klub kishte ndodhur për faktin e thjeshtë se kishte pranuar më përpara që në të njëjtën kohë të realizonte një intervistë me një televizion lokal.
Skuadra mori vendimin për të publikuar lajmin se Lorente kishte refuzuar të dilte para mediave pas stërvitjes së paradites, duke shtuar më shumë spekulimet rreth të ardhmes së lojtarit.
“Ma thanë një gjë të tillë sapo po largohesha nga stërvitja dhe nuk kisha kohë. Nuk mund të gjendem në dy vende njëkohësisht. Nuk e kam problem të flas me mediat në një ditë tjetër”, deklaroi Lorente në intervistën e tij për televizionin “Telebilbao”.
Ky është vetëm problemi i radhës i këtij lojtari me klubin bask që duket qartësisht se po mban peng sulmuesin spanjoll duke i dëmtuar karrierën e tij. Pasi lojtari refuzoi rinovimin e kontratës që i mbaron në këtë sezon, klubi pengoi transferimin e tij drejt një klubi tjetër, ndonëse kishte oferta të shumta për të.
Pak ditë më parë, presidenti i Atletik Bilbao, Hosu Urrutia, bëri të qartë që baskët nuk do ta lejonin lojtarin të largohej as në janar, ndërsa Lorente po pret me padurim që të mbyllet ky sezon dhe të shkojë në një ekip ku do të luajë përsëri titullar.
“I kam thënë klubit që nuk më pëlqen mënyra se si po më trajtojnë. Historitë në media kanë qenë shumë të këqija dhe nuk kanë ndihmuar aspak këtë situatë. Aty është ndryshuar realiteti”, deklaroi lojtari. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 November 2012 09:30