Kombëtarja shqiptare e futbollit ka fituar edhe takimin e dytë miqësor të majit, duke kaluar këtë radhë me rezultatin minimal 1-0 kombëtaren e Iranit, një prej përfaqësueseve më të forta aziatike. Kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi kanë triumfuar falë një ndeshje të interpretuar mirë dhe falë golit të Emiljano Vilës në pjesën e dytë të takimit.
Ashtu si në ndeshjen e disa ditëve më parë kundër Katarit, De Biasi ka eksperimentuar me formacionin titullar duke aktivizuar në portë Etrit Berishën, ndërsa vijës së mbrojtjes këtë radhë i është shtuar Lila në vend të Dallkut që ka munguar për arsye familjare. Ne mesfushë, Bulku e Lilaj janë vendosur para mbrojtjes, me Hykën, Bakajn e Vilën që kishin për detyrë të mbështetnin sulmuesin e vetëm, Çanin.
Ndeshja është mjaft e bukur në pjesën e parë, me të dy skuadrat që provojnë të gjejnë rrugën e rrjetës por pa sukses. Atëherë De Biasi bën lëvizjen e duhur në fillimin e pjesës së dytë, duke kaluar nga formacioni 4-5-1 në atë 4-4-2, me aktivizimin e Sadikut në vend të Hykës, që i jep më gjallëri lojës së kuqezinjve. Pikërisht falë një insistimi të sulmuesit të sapofutur në lojë vjen edhe goli i vetëm i ndeshjes së minutën e 60-të, kur Vila gjuan me të djathtën në hyrje të zonës dhe dërgon topin në rrjetë.
Më pas, loja ndikohet nga zëvendësimet e shumta në të dy ekipet ku për kuqezinjtë duhet përmendur edhe debutimi më përfaqësuesen shqiptare i futbollistit të kombëtares Shpresa, Mërgim Brahimi, i cili duket se në të ardhmen do të jetë pjesë e përfaqësues së madhe pasi ka bindur trajnerin italian me formën e tij.
Tashmë De Biasi do të bëjë bilancin e punës së tij ndërsa do të ketë një tjetër mundësi në muajin gusht për të përgatitur skuadrën për eliminatoret e Botërorit Brazil 2014, pasi Shqipëria luan një miqësore me Moldavinë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 27 May 2012 21:37