Janë kthyer përsëri dyshimet e manipulimeve në kampionatin italian të futbollit, pas denoncimit që një futbollist ka bërë në autoritet federale për ofertën që ka marrë për të manipuluar rezultatin e një ndeshje.
Futbollisti i Salernitanës në Lega Pro, David Mounard, ka denoncuar tentativën që i është bërë për të manipuluar ndeshjen që skuadra e tij luante ndaj Gavorrano. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane, një ish-shok i tij i skuadrës, që tashmë luante në ekipin kundërshtar, i kishte bërë një telefonatë ku i kishte bërë propozimin për manipulimin e rezultatit të kësaj ndeshje.
Tani çdo gjë i kalon organeve përkatëse në Itali, por edhe prokurorisë, pasi në këtë vend vazhdojnë hetimet për manipulimet e ndeshjeve në favor të organizatave kriminale nëpërmjet basteve sportive, si ai i grupit që operon nga Azia dhe që mendohet se në vitet e fundit ka manipuluar me sukses ndeshje kombëtare e ndërkombëtare në të gjithë Evropën.
Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse tentativa e manipulimit të ndeshjes ka lidhje me veprimtarinë e këtij grupi apo është thjesht tentativë “lokale” për trukimin e ndeshjeve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 05 May 2013 11:23