Tirana ka mbyllur në barazim1-1 ndeshjen kundër norvegjezëve të Alesund, duke komplikuar shanset e saj për kalimin në turin tjetër të Europa League. Ndonëse me mungesa të rëndësishme në skuadër si ato të Balës, Pishës e Duros, bardheblutë shpresonin në një rezultat pozitiv në ndeshjen para tifozerisë së tyre, por kanë dalë të kënaqur përgjysmë.
Skuadra e Rubios ka treguar lojë të mirë përballë ekipit norvegjez që është në mes të kampionatit që luhet në këtë periudhë të vitit në Norvegji dhe ishte në një formë më të mirë fizike se bardheblutë. Por përsëri iniciativa ka qenë e gjitha e futbollistëve shqiptarë që kanë rrezikuar disa herë portën kundërshtare.
Momenti kyç i ndeshjes ishte në minutën e 38-të, kur Çota, pas një kombinimi me Takun, gjen golin e avantazhit për bardheblutë, duke ngjallur shpresat e një fitoreje, pasi Tirana vazhdon të jetë më e fortë në fushën e lojës.
Por me kalimin minutave, dominon forma më e mirë fizike e norvegjezëve të cilët gjejnë golin e barazimit në minutën e 57-të më anë të xhamajkanit Stjuart dhe vënë më shumë në vështirësi Likën.
Trajneri Rubio vendos të hedhë në lojë futbollistë më të freskët, Morinën e Tushën, por pavarësisht impenjimit të të dyve, rezultati nuk ndryshon dhe Tirana del nga kjo sfidë me kokën lart, por e ndërgjegjshme që me barazimin në fushën e saj, ka minimizuar ndjeshëm shanset për kalimin e turit në ndeshjen e kthimit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 21:43