Gazeta gjermane “Bild” ka konfirmuar atë që dyshohej prej kohësh në Shqipëri, se klubet e Tiranës dhe Vllaznisë janë të përfshira në hetimin e “Europol” për shitjen e ndeshjeve, pasi kanë manipuluar rezultatet e takimeve të tyre në Kupat e Evropës në vitin 2009.
Bëhet fjalë për takimin e humbur nga Tirana në fushën e Stabaek të Norvegjisë me rezultatin 4-0, i vlefshëm për turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Ndërsa ndeshjet e Vllaznisë janë të dyja ato të luajtura kundër Rapidit të Vjenës për Europa League. Ekipi shkodran u mund 3-0 në Shkodër dhe 5-0 në Vjenë, duke bërë që të lindin dyshime sidomos për takimin e dytë.
Këto ndeshje u hetuan zyrtarisht edhe nga UEFA, e cila kërkoi informacione të hollësishme nga FSHF rreth klubeve, si dhe i bëri publike emrat e skuadrave edhe në faqen e saj të internetit. Më pas, institucioni që drejton futbollin në Evropë ia kaloi dosjet “Europol”, i cili ia ka bashkuar edhe hetimeve të tjera, duke arritur në përfundimet e ditës së djeshme që u cilësuan si goditja më e rëndë ndaj sportit të futbollit në Evropë.
Ndërkohë, edhe FSHF hapi një hetim nëpërmjet komisioneve të brendshme, por si zakonisht nuk u zbulua asgjë dhe as që u bë ndonjë tentativë bashkëpunimi me prokurorinë shqiptare qoftë për të kërkuar një hetim paralel nga strukturat policore të vendit tonë.
Tashmë pritet të mësohet nëse në dosjet e “Europol” janë edhe emrat e personave që kanë mundësuar trukimin e ndeshjeve të dy ekipeve shqiptare dhe nëse ata do të ndiqen penalisht, ashtu siç ndodh me “homologët” e tyre në të gjithë Evropën. I sigurt është fakti se edhe këto dy ndeshje janë organizuar nga grupi kriminal me qendër në Azi, i njëjti grup kriminal që shkaktoi skandalin e basteve të viteve të fundit në kampionatin italian të futbollit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 February 2013 15:51