Një tifoz i Juventusit ka marrë oferta deri në 10 milionë euro pasi nxori në shitje në eBay sulmuesin Amauri.
Bardhezinjtë nuk kanë qenë në gjendje të shesin sulmuesin e padëshiruar i cili erdhi nga Palermo në vitin 2008 për shumën e 22.8 milionë eurove, por nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Antonio Konte.
Amauri, i cili përfiton 70 mijë euro në javë te Juventus ndonëse nuk ka luajtur asnjë ndeshje për këtë skuadër gjatë sezonit, deri tani nuk ka arritur të realizoje transferimin te Xhenoa ose Fiorentina për shkak të kërkesave të larta që ka. Kjo ka sjellë edhe acarimin e tifozëve të Juventus, ndërsa një prej tyre ka vendosur që të krijojë një ankand në eBay për ta hequr qafe.
Para se të hiqej nga faqja e internetit që organizon ankande, lajmërimi kishte marrë 78 oferta të ndryshme, ku më e madhja ishte 10 milionë euro.
Për më tepër, shitja e Amaurit përfshinte transportin falas dhe një afat dërgese prej 4 ditë pune, ndërsa nuk pranohej rimbursimi.
Fituesi i ankandit merrte falas edhe mbrojtësin e majtë të Juventus, Paolo De Çelje. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 10:38