Një tifoz gjerman ka realizuar ëndrrën e tij për t’i shtrënguar dorën idhullit Lionel Mesi, duke pushtuar fushën gjatë takimit miqësor Gjermani-Argjentinë të luajtur në Frankfurt.
Zakonisht ata që pushtojnë fushën e bëjnë një gjë të tillë thjesht për të provuar që mund të kalojnë rojet e sigurisë apo për të dhënë një mesazh social apo politik, shumë shpesh edhe të zhveshur lakuriq.
Por në minutën e fundit të miqësores mes Argjentinës e Gjermanisë, një tifoz krejtësisht i veshur ka hyrë me shpejtësi në fushë duke kaluar kordonin e sigurisë. Objektivi i tij ishte vetëm t’i shtrëngonte dorën Lionel Mesit.
Pasi e ka bërë një gjë të tillë, ai është ndalur dhe ka përshëndetur publikun, ndërsa është shfaqur tejet i lumtur para kamerave, ndonëse sipas ligjeve gjermane atë e presin disa ditë burg.
Kjo ngjarje e rrallë ka bërë që të buzëqeshë edhe vetë Mesin, i cili është mësuar me dashurinë e tifozëve, por askush më parë nuk kishte ndërprerë një ndeshje ndërkombëtare thjesht për t’i shtrënguar atij dorën. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 August 2012 12:30