Një grup tifozësh të Dinamo Moskës kanë tronditur klubin duke u bërë pjesë e një sulmi kundër lojtarëve të ekipit. Tifozët qëlluan me armë me bojë kundër futbollistëve gjatë stërvitjes, duke lënë disa prej tyre të shtrirë në tokë mes dhimbjeve pasi pësuan goditje në kokë.
Sipas mediave ruse, tifozët që u paraqitën me maska në fytyrë dhe të veshur me rroba ushtarake, kishin vendosur të bënin këtë sulm ndaj lojtarëve pasi mendonin se ata nuk ishin impenjuar sa duhej në këtë sezon, ku janë në vend të 14-të në renditjen e kampionatit.
Reagimi i klubit ndaj kësaj situate të jashtëzakonshme ishte mjaft i ashpër, ndërsa janë paralajmëruar hetime policore dhe përndjekje kriminale ndaj fajtorëve.
“Pas stërvitjes, një grup individësh u mundua të qëllonte lojtarët tanë me pushkë me bojë. Jemi të bindur se ky ishte një veprim i organizuar dhe i planifikuar. Kjo është një sfidë për klubin, të cilës ne do i përgjigjemi në mënyrën më të ashpër të mundshme”.
“Ne kemi si qëllim të përdorim të gjitha mjetet e mundshme për të gjetur dhe ndaluar “atentatorët” në çdo mënyrë që lejon ligji, përfshirë edhe përndjekjen kriminale”, shkruhej në lajmërimin publik të lëshuar nga klubi rus, ndërsa mediat vendase kanë sugjeruar se presidenti i skuadrës është gati të ofrojë një shpërblim të madh për të gjithë ata që japin informacione mbi identitetin e “atentatorëve”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 October 2012 09:20