Mançester Junajtid ka marrë një sinjal të qartë se çfarë atmosfere e pret sonte në stadium në ndeshjen ndaj Gallatasarajit, pasi tifozët e kësaj skuadra i kanë bërë një pritje të zjarrtë që në aeroport.
Rreth 1000 tifozë të ekipit turk kanë pushtuar aeroportin “Ataturk” në Stamboll, ndërsa kërkuan të shkonin me forcë drejt terminalit ku sapo ishte ulur avioni i ekipit anglez, duke detyruar rojet e sigurisë të kalonin skuadrën drejt një dalje dytësore.
Sër Aleks Ferguson, i cili ka edhe eksperienca të mëparshme me atmosferën e ndezur që pret zakonisht skuadrën e tij në Turqi, është i lumtur që këtë radhë nuk u përball me tifozët.
“Këtë radhë iu shmangëm përshëndetjes tipike nga tifozët. Në vitin 1993, kur erdhëm këtu, ishte një situatë e pabesueshme. Ishte diçka e re dhe shumë frikësuese. Por që nga ai moment kemi qenë këtu disa herë dhe jemi mësuar me entuziazmin dhe fanatizmin turk. Tani nuk përbën më shqetësim për ne”.
Situata edhe këtë radhë përshkallëzoi në atë masë sa policia u detyrua të përdorte gazin lotsjellës për të larguar tifozët nga hyrja e aeroportit, ndërsa presidenti i klubit të Gallatasarajit, Abdurrahim Albairak, bëri thirrje për qetësi mes tifozëve të revoltuar.
“Në çdo aspekt, në jemi një klub elite. Ne duhet të presim ngrohtësisht kundërshtarët tanë, jo në këtë mënyrë. Ata na kanë pritur mirë dhe ne duhet t’ua shpërblejmë si duhet mikpritjen e tyre”, shpjegoi ai para tifozëve që më pas u shpërndanë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 November 2012 09:45