Shanset e Rafa Benitez për t’u bërë trajner i Çelsit janë minimizuar pasi tifozët e kësaj skuadre e kundërshtojnë afrimin e ish-trajnerit të Liverpulit.
Gjatë ndeshjes me Birmingem për Kupën FA, rreth 3 mijë tifozë të Çelsit të pranishëm në stadium, kanë lëshuar në kor sharje kundër trajnerit spanjoll, duke u siguruar që gjithçka të dëgjohej nga disa prej drejtuesve të londinezëve që ishin të pranishëm për të ndjekur ndeshjen.
Fillimisht, Abramoviç u interesua të dinte nëse spanjolli do të pranonte të ulej në stolin e skuadrës deri në fundin e sezonit, ndërsa më pas caktoi në këtë detyrë Roberto Di Mateon. Ndërsa tani, Benitez bën pjesë në listën e emrave të mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Por tifozët nuk duan që ta kenë në klub “armikun e betuar” të Zhoze Murinjos, i cili me Liverpulin arriti të bënte atë që portugezi nuk e arriti me londinezët, të fitonte Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 16:12