Kur dukej se çështja Tiago Silva ishte arkivuar dhe Milani po mendonte vetëm si të përforconte skuadrën, situata është përmbysur dhe diskutimet kanë filluar nga e para.
Pasi Berluskoni vendosi të heqë lojtarin nga merkato, pavarësisht ofertës së PSZH, mbrojtësi brazilian filloi negociatat me drejtuesit e klubit për përmirësimin e ndjeshëm të rrogës që përfiton.
Por kërkesa e tij nuk ka qenë e ulët, pasi ai pret që të përfitojë 7 milionë euro në sezon, nga 3.5 që përfiton aktualisht. Kuptohet që me këto shifra, Milani nuk është i gatshëm të negociojë dhe për këtë arsye, Adriano Galiani i ka kujtuar përfaqësuesve të lojtarit se ai ka ende një kontratë të vlefshme me kuqezinjtë.
Por gjithsesi, për të evituar pakënaqësi që mund të rezultonin fatale gjatë edicionit, drejtuesi i kuqezinjve ka ndërmarrë dy hapa shumë të rëndësishëm. Fillimisht ka premtuar një takim tjetër për të negociuar rreth rritjes së rrogës së futbollistit brazilian. Ndërsa më pas, duke i paraprirë një mosmarrëveshje të mundshme, ka kontaktuar me PSZH për të ditur nëse janë ende të gatshëm të vazhdojnë bisedimet për shitjen lojtarit, të ndërprera në mënyrë të papritur me kërkesë të Berluskonit.
Situata do të sqarohet më shumë në ditët në vazhdim, por kjo lëvizje ka shkatërruar disi qetësinë që ishte krijuar në javët e fundit në klubin e Milan, ku drejtuesit po shikonin çdo strategji të mundshme vetëm për të përforcuar skuadrën, e jo për të larguar lojtarë të rëndësishëm si Tiago Silva. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 June 2012 16:06