Uejn Runi insiston se Mançester Junajtid do të fitojë titullin historik të 20-të në Angli në këtë sezon dhe beson se mund ta ngrejë trofeun pikërisht në derbin që luhet në stadiumin e rivalëve të Mançester Sitit.
Junajtid ka aktualisht një avantazh prej 5 pikësh ndaj Sitit, ndërsa sulmuesi ëndërron që të mbyllë luftën për titull pikërisht në sfidën e 30 prillit që luhet në stadiumin “Etihad”.
“Ne jemi aq të mirë sa t’i mundim ata në fushën e tyre, siç e kemi treguar edhe në Kupën FA. Ata kanë një ecuri të jashtëzakonshme në shtëpi në kampionat por ne arritëm të marrim një rezultat në Kupë dhe kjo tregon se mund të shkojmë atje dhe të fitojmë. Neve thjesht na duhet të luajmë futboll si normalisht”.
28 golat e shënuar nga sulmuesi në këtë sezon me fanellën e “djajve të kuq”, e kanë çuar totalin e tij për këtë skuadër në 175. Kjo e vendos atë vetëm 4 gola pas Denis Violet dhe Xhorxh Best në renditjen historike të klubit, por sulmuesi i përfaqësueses angleze synon rekordin prej 249 golash të Sër Bobi Çarlton.
“Do të ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme nëse do të arrija rekordin e Sër Bobi Çarlton. Jam ende shumë larg asaj shifre por shpresoj që një ditë ta arrij atë”, deklaroi sulmuesi i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 April 2012 13:50