UEFA ka hapur zyrtarisht hetimet për aludimet e fyerjeve raciste në adresë të sulmuesit italian Mario Baloteli dhe mbrojtësit çek Teodor Gebre Selasi. Sipas këtij institucioni, kanë mbërritur raportet e para rreth ngjarjeve në fjalë, që do të shqyrtohen me shumë vëmendje.
“Tani UEFA po bën hetime të mëtejshme, ndonëse për momentin nuk janë hapur procedime disiplinore të asnjë lloji ndaj ndonjë federate”, shpjegoi zëdhënësi i këtij institucioni.
Një grupim tifozësh spanjollë bëri të ditur se një grup i pakontrolluar personash, prej rreth 200 personash, kanë filluar të ulërijnë si majmunë sa herë që Baloteli prekte topin në ndeshjen Spanjë-Itali. “Jemi të lumtur të raportojmë që pjesa më e madhe e tifozëve spanjollë reaguan në mënyrë shumë pozitive, pas u munduan të ndërhyjnë duke i bërë thirrje këtyre personave të mos përdornin fyerje raciste. Sigurisht që jemi të inatosur me këtë grup të vogël tifozësh spanjollë që përdorën thirrje raciste kundër Mario Balotelit”, deklaroi zëdhënësi zyrtar për shtyp i tifozëve të organizuar të Spanjës.
Ndërkohë, UEFA ka marrë në pyetje mbrojtësin Gebre Selasi, i cili është fyer nga tifozët rusë, por me sa duket nuk është shqetësuar nga kjo situatë.
“Nuk ishte asgjë ekstreme, kam përjetuar edhe më keq në karrierën time”, tha 25 vjeçari i cili nuk ka bërë një ankesë zyrtare për ngjarjen.
Sipas rregullores së UEFA-s, federatat cilësohen përgjegjëse për sjelljet e tifozëve të tyre. Shkelja e parë zakonisht ndëshkohet me një gjobë, ndërsa dënime të tjera në rast përshkallëzimi janë heqja e pikëve apo edhe përjashtimi nga pjesëmarrja në turne. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 12 June 2012 15:20