Karlos Tevez ka bërë prezantimin si futbollisti i ri i Juventusit, duke zhvilluar konferencën e parë për shtyp pas firmës me skuadrën italiane. Argjentinasi ka shpjeguar menjëherë se si ai kishte bërë kërkesën që të mbante fanellën me numrin 10 të kësaj skuadre.
“Juventusi është një skuadër e madhe dhe kjo është arsyeja kryesore për të cilën jam këtu. Përgjegjësia që mban lojtari me numrin 10 është e stërmadhe. Por mos harroni se 10 ishte edhe numri që unë trashëgova nga Maradona te Boka Juniors. Duhet ta dini se unë e respektoj shumë këtë fanellë, ashtu si marr përsipër përgjegjësinë e të mbajturit të saj. Përfaqëson një sfidë për mua”, tha sulmuesi.
Tevez ka dashur të sqarojë gjithashtu edh rrethanat se si ai ka vendosur të zgjedhë Juventusin, ndërsa flitej se ishte shumë pranë Milanit dhe i kishte bërë një premtim Galianit se në Itali do të luante vetëm me kuqezinjtë.
“Dua të jem i qartë dhe të them se kohët e fundit nuk kam folur me Galianin, vetëm një vit më parë. E njoh, por e kam takuar vetëm 2-3 herë gjatë gjithë jetës time. Dëshira ime është të fitoj titullin këtu, edhe pse nuk fsheh mendimin që kjo skuadër ka potencial për të ecur edhe në Ligën e Kampioneve”, deklaroi futbollisti argjentinas. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 22:14