Karlos Tevez ka zbuluar se ka marrë në konsideratë idenë e lamtumirës nga futbolli i luajtur pas debatit që kishte me trajnerin Roberto Mançini në sezonin e kaluar. Argjentinasi atëherë u largua nga futbolli për 6 muaj dhe u kthye vetëm pasi kërkoi falje, duke ndihmuar skuadrën e Mançester Sitit të fitonte titullin kampion në Angli.
“Vitin e kaluar, për pak sa nuk u largova përfundimisht nga futbolli. Kisha humbur dëshirën për të luajtur, qëndroja në dhomën time duke qarë. Kur vijnë kohët e këqija, vijnë të gjitha bashkë. Edhe me Argjentinën u eliminuam nga Kupa e Amerikës që zhvillohej në vendin tonë. Pas zënkës me Roberton, unë nuk dëshiroja të kisha më punë me futbollin. Por fatmirësisht sot jam në rregull, kam rifituar dëshirën për të luajtur përsëri”, tha argjentinasi.
Tevez ka shpjeguar se sa shumë e urren kur mbetet jashtë skuadrës, por pranon se ka një raport shumë më të mirë me trajnerin italian.
“Marrëdhënia ime me Mançinin është e mirë. E pranoj që jam gjaknxehtë, nuk më pëlqen të mbetem jashtë skuadrës apo të ulem në stolin e rezervave. Më parë, kur ai më la jashtë skuadre apo nuk më përfshinte mes titullarëve, e shaja. Tani jam më i qetë”.
Tevez ka shënuar 10 gola në 28 ndeshje me Mançester Sitin në këtë sezon, por tregon se edhe stili i tij i lojës ka ndryshuar disi.
“Fizikisht jam mirë, ndjej se jam i shpejt dhe në formë të mirë. Ndoshta më mungon pak uria për golin, pasi tani mendoj më shumë për të hapur lojën apo për të dhënë pasime për gol”, tha argjentinasi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 January 2013 13:08