Më shumë se 800 të dyshuar është thënë se janë të implikuar në bastet ilegale dhe skandalin e kurdisjeve të ndeshjeve që ka tronditur fuqishëm futbollin në ditët e fundit.
Fitimet e ardhura nga këto mësohet se janë me miliona euro, e të dyshuarve në krye të listës iu prinë pronari i Superligës greke dhe i Olimpiakosit, Vangelis Marinakis, i ndjekur nga presidenti i Olimpiakos Volosit, Akileas Beos dhe pronari i Kavallas, Makis Psomiadis. Ata akuzohen se kanë kurdisur ndeshje me lidhje dhe bashkëpunëtorë në shtatë shtete të ndryshme.
Si pasojë e skandalit më të madh të ndodhur ndonjëherë në futbollin grek, klubet e AEK-ut dhe Panathinaikosit i kanë kërkuar Marinakisit që të lëshojë vendin e Presidentit të Ligës, ndërkohë që lajmi më i bujshëm i ardhur dje nga tabloidi britanik “The Sun”, ka qenë se në skandalin e basteve të plasur në Greqi ka dalë edhe emri i sulmuesit argjentinas të Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Kështu, sipas shtypit anglez, Tevez është kërkuar që të jetë pjesë e një kurdisjeje pikërisht në ndeshjen e Europa Ligës, ndërmjet Arisit të Selanikut (skuadrës së shqiptarit Vangjeli) dhe Manchester Cityt. Prokurorët kanë paraqitur një bisedë telefonike të mesfushorit të Arisit, Kostas Mendrinos dhe Tevezit, sipas së cilës akordi dhe shifra për t′u hedhur ishte 6000 funte, kurse ndeshja përfundoi me barazim 0-0.
Tuesday, 28 June 2011 14:10