Nënkampionët e Shqipërisë të Teutës janë eliminuar nga Europa League jo vetëm duke mos treguar asgjë nga bagazhi i skuadrës që një vit më parë zbukuroi kampionatin shqiptar, por edhe duke i lënë vend zërave për lënien e ndeshjeve.
Durrsakët, pasi janë mundur 3-0 në ndeshjen e parë në shtëpi nga Metalurg Rustavi i Gjerogjisë, janë mundur me rezultat edhe më të thellë në ndeshjen e kthimit në fushën kundërshtare, 6-1. Por kjo humbje ka sjellë dyshime të mëdha për shitjen e ndeshjeve me qëllim përfitimin nga bastet sportive.
Është bërë e zakonshme tashmë që skuadrat shqiptare që nuk kanë ndër mend të vazhdojnë më tej në Kupat e Evropës, të humbin shumë thellë ndeshjet e tyre në transfertë, mundësisht me 6 apo më shumë gola, ndërsa ka shpesh aludime që gjithçka është e organizuar në mënyrë që drejtuesit dhe vetë lojtarët të përfitojnë nga bastet sportive.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Teutën që dje nuk i ka bërë aspak rezistencë ekipit kundërshtar, duke pësuar 3 gola në pjesën e parë dhe po aq në pjesën e dytë të takimit. I vetmi reagim i durrsakëve ka qenë goli i shënuar në minutën e 65-të nga Deliallisi, por që nuk ka mjaftuar për të bërë më të përtypshme këtë disfatë të shëmtuar.
Nuk është çudi që në javët në vazhdim, ndeshjet e Teutës me ekipin gjeorgjian, të përfundojnë në sitën e UEFA-s e cila sheh gjithmonë me vëmendje ndeshje te tilla. Njëkohësisht, nuk është çudi edhe nëse shumë shpejt, drejtuesit durrsakë të shfajësohen para publikut duke ia veshur fajin lojtarëve, e pse jo, duke larguar disa prej tyre.
Ndërkohë, në takimin tjetër të Europa League, Flamurtari është mundur 2-0 nga Honved dhe i ka dhënë edhe ai lamtumirën këtij turneu, pa patur shansin që të kalojë në turin tjetër e të ndeshet me rusët e Anzhi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 21:50