Roberto Mançini nuk e ka përjetuar mirë humbjen në finalen e Kupës FA, ku Mançester Sitit i tij, një ekip multimilionerësh, u mund nga Uigan, një prej skuadrave që rrezikon rënien nga kategoria dhe nuk i ishte gëzuar më parë asnjë suksesi madhor në historinë e klubit. Trajneri italian ka shpërthyer menjëherë në akuza ndaj gazetarëve, duke iu referuar zërave për largimin e tij dhe emërimin e Manuel Pelegrinit në drejtimin e skuadrës.
“Ju vazhdoni të flisni rreth kësaj gjëje për 6 muaj dhe në dy javët e fundit më shumë se kurrë. Nuk e di pse klubi nuk e ndali një gjë të tillë, pasi mendoj se nuk ishte korrekte. Por vazhdoj të besoj se nuk është e vërtetë”.
“Unë e njoh futbollin dhe gjithçka mund të ndodhë. Do ta mësojmë pas dy javësh nëse është e vërtetë. Nëse nuk është e vërtetë, keni shkruar shumë budallallëqe për 6 muaj. Nëse është e vërtetë, atëherë unë jam idiot pasi nuk paskam kuptuar asgjë. Por unë jam i sigurt se punoj me njerëz seriozë dhe se kam bërë një punë të mirë, edhe pse humba në finale. Sapo të mbarojë sezoni do të mësoj nëse këto gjëra janë të vërteta apo jo”, deklaroi Mançini.
Sipas mediave angleze, Çiki Begirishtajn, që mbulon rolin e drejtorit sportiv në klub, ka vijuar edhe dje kontaktet me përfaqësuesit e Manuel Pelegrinit për të sjellë këtë të fundit në drejtimin r klubit. Njëkohësisht, janë hapur zëra se një tjetër alternativë do të jetë emërimi i spanjollit Rafael Benitez, që lë Çelsin në fund të edicionit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 11:00