Java vendimtare që do të përcaktojë nëse Milani do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve apo jo, nuk po kalon aq e qetë te kuqezinjtë. Trajneri Alegri vazhdon të dëgjojë gjithnjë e më shumë zërat për një zëvendësim të tij në fund të sezonit, ndërsa kësaj situate i është shtuar edhe një zënkë në stërvitje me brazilianin Robinjo.
Në stërvitjen e djeshme, sulmuesi brazilian dhe trajneri kanë shkëmbyer fjalë mjaft të ashpra me njëri-tjetrin, aq sa është dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë për t’i ndarë. Sulmuesi mendohet se prej kohësh ka shprehur publikisht pakënaqësi rreth faktit që ka mbetur në pankinë, ndonëse në janar u pengua largimi i tij drejt Brazilit duke i premtuar një rol protagonisti.
Nga ana tjetër, Alegri është zhgënjyer plotësisht nga paraqitjet e lojtarit dhe shkëmbimi i batutave me të ka qenë vetëm preteksti i një zënke që pritej prej kohësh.
Megjithatë, për të qetësuar situatën e krijuar është munduar vetë Robinjo, i cili ka zgjedhur Twitter për të dhënë mendimet e tij rreth kësaj çështje.
“Ndodh disa herë në stërvitje të kesh ndonjë problem. Jemi burra, por tani gjithçka është në rregull. Forca Milan”, ishte komenti i tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 May 2013 19:24