Tenisi është sporti i radhës që ka vendosur të përdorë të ashtuquajturën Pasaportë Biologjike, për të luftuar përdorimin e dopingut. Lajmi u bë i ditur sot nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit që është përgjegjëse për kontrollet anti-doping në këtë sport.
ITF, ATP, WTA dhe turnetë e mëdhenj që aderojnë në këtë federatë, pranuan unanimisht hyrjen në fuqi të kësaj pasaporte dhe ndryshimin e testimeve anti-doping gjatë aktiviteteve, duke menduar se kjo do të jetë efektive për të luftuar dopingun po aq sa ka qenë në çiklizëm gjatë viteve të fundit.
Federata Ndërkombëtare ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga vetë tenistët elitarë, sidomos Roxher Federer dhe Endi Marrei, që të shtonte numrin e kontrolleve anti-doping jashtë aktivitetit, sidomos atyre të gjakut që ishin thuajse inekzistente.
Që tani është miratuar një fond fillestar prej 2 milion dollarësh për këto testime, shifër që do të rritet me kalimin e kohës në bazë të numrit të testeve që do të zhvillohen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 March 2013 18:01