Duket e pabesueshme por spekulimet e merkatos së futbollistëve po e transferojnë Hamdi Salihin sa në një kontinent në tjetrin, por gjithnjë e më larg Evropës. Sulmuesi shkodran nuk ka arritur të gjejë një marrëveshje me klube evropiane por dëshiron të largohet nga Rapidi i Vjenës ku është kthyer në lojtar stoli.
Si rrjedhojë, ai është bërë objektiv i destinacioneve më “ekzotike” ku pas ofertës nga Kina, këtë radhë ai kërkohet edhe në SHBA.
Gazeta “Washington Examiner” ka bërë të ditur se klubi i qytetit të Uashington që merr pjesë në MLS, DC Junajtid, kërkon futbollistin për të përforcuar radhët para fillimit të sezonit të ri.
Kjo lëvizje është e mundur pasi merkatoja e futbollistëve atje vazhdon deri në fillimin e sezonit, në muajin prill. Detajet e bisedimeve nuk bëhen të ditura, por Salihi pritet të jetë një prej 3 lojtarëve të klubit për të cilët lejohet një rrogë më e madhe se tavani prej 335 mijë dollarësh në sezon.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit të Rapidit vazhdojnë të shpresojnë te një transferim i futbollistit, ndërsa kanë bërë të ditur se do të presin oferta. Vetëm në raste se asnjë prej ofertave nga Kina apo SHBA nuk do të realizohet, atëherë Salihi do të kthehet në skuadër për pjesën e mbetur të sezonit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 February 2012 17:12