Një tjetër akuzë mund të rëndojë mbi supet e Antonio Konte. Prokuroria e Barit ka përfshirë emrin e trajnerit të Juventusit për ndeshjen Salernitana-Bari, e manipuluar në majin e vitit 2009 në favor të ekipit vendas.
Sipas asaj që shkruhet në provat e mbledhura nga Prokuroria, tekniku aktual i kampionëve të Italisë mund të pësojë një tjetër pezullim pasi nuk ka denoncuar manipulimin e kësaj ndeshje. Shumë e rëndësishme është dëshmia e dhënë nga portieri Zhilet, sipas të cilit, trajneri që në atë periudhë drejtonte Barin, ishte në dijeni se kishte diçka që nuk shkonte në atë takim.
Të hetuarit janë më shumë se 20 dhe të gjithë akuzohen për mashtrim sportiv. Sipas asaj që shkruhet në gazetën “La Repubblica”, ndeshja është shitur nga lojtarët e Barit te skuadra e Salernitanas, praktikisht me unanimitet të plotë. Shifra e përfituar nga lojtarët për momentin nuk është saktësuar, pasi varion nga 160 mijë, në 300 mijë euro, sipas deklaratave të ndryshme. Por lojtarët vetë janë mbledhur dy herë për të diskutuar këtë ndeshje dhe për të arritur në një vendim.
Sipas asaj që ka treguar Zhilet, Konte i ka kërkuar para ndeshjes sulmuesit Kolombo që të luajë si titullar, por ky i fundit ka refuzuar, duke deklaruar se nuk do të merrte kurrë pjesë në një farsë si ajo që do të shfaqej kundër Salernitanës.
Trajneri u irritua nga situata dhe i kërkoi Kutuzov që të luante, duke iu lutur praktikisht që të impenjohej në maksimum dhe duke lënë të kuptohej se ishte në dijeni të ndonjë marrëveshje, aq sa mjafton që ai të rrezikojë një tjetër pezullim afatgjatë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 24 November 2012 14:03