Epoka Hodgson në drejtimin e përfaqësueses angleze të futbollit nuk po fillon me këmbë të mbarë, pasi dëmtimet nuk po i ndahen kësaj përfaqësueseje, duke shkatërruar planet e trajnerit të zgjedhur vetëm pak kohë më parë.
Frenk Lampard është detyruar të braktisë stërvitjen e sotme pas një dëmtimi të marrë në kofshë dhe duket se rrezikon seriozisht të mos marrë pjesë në aktivitetin që fillon pas 10 ditësh.
Lojtari do të zhvilloje nesër testet e nevojshme fizike mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit të tij dhe për të kuptuar nëse do të jetë në gjendje të riaftësohet në kohë për pjesëmarrjen në këtë turne, apo nëse do të jetë i detyruar ta braktisë atë, ashtu siç ndodhi të hënën me Garet Berri, apo më parë me portierin Xhon Rudi.
Si rrjedhojë, mesfushori i Liverpulit, Xhordan Henderson, është lajmëruar të jetë i gatshëm sepse mund të bëhet ai pjesë e skuadrës nëse testet e nesërme përcaktojnë se Lampard nuk do të jetë në gjendje të luajë në Euro 2012.
“Frenk Lampard ka lënë sot stërvitjen për shkak të një dëmtimi në kofshë. Ai do t’i nënshtrohet një skanimi dhe dëmtimi i tij do të shihet me vëmendje nga skuadra mjekësore e kombëtares angleze gjatë ditës së nesërme. Xhordan Henderson është lajmëruar të jetë në gjendje gatishmërie ndërsa situata e Lampard vazhdon të monitorohet”, shkruhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga Federata Angleze.
Dëmtimi i Lampard komplikon më shumë situatën te Anglia në repartin e mesfushës, ku edhe Skot Parker e Stiven Xherard nuk janë në formën më të mirë fizike pas probleme të vazhdueshme që kishin në fundin e këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 16:40