Kupa e Afrikës ka përjetuar disa skena të dhunshme gjatë ditës së djeshme, në takimin mes Zambias që është kampione e turneut në fuqi dhe Etiopisë, ndeshje e mbyllur me rezultatin 1-1.
Telashet e shkaktuara nga tifozët e Etiopisë filluan që nga momenti kur ylli i kombëtares së këtij vendi, Saladin Seid, humbi një penallti në minutën e 25-të, ndërsa protestat u bënë të dhunshme pas minutës së 32-të. Portieri etiopian Xhemal Taseu doli nga zona dhe bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Çisamba Lumbu, duke u dëmtuar edhe vetë gjatë përplasjes. Por kartoni i kuq ndaj tij u dha vetëm kur po largohej me barelë nga fusha e lojës, pas rreth 11 minutave që ai po merrte trajtimin mjekësor në fushë, duke bërë që të shpërthente inati i tifozëve të Etiopisë.
Këta të fundit mbuluan fushën me shishe uji dhe vuvuzela, duke shkaktuar kaos në stadium dhe duke detyruar policinë vendase të ndërhynte ndaj tyre. Takimi vazhdoi rregullisht, ndërsa përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 January 2013 10:03