Mançester Siti po mundohet në të gjitha mënyrat që të transformohet në Barcelonën. Sheikët që zotërojnë klubin janë të bindur se shembulli që duhet ndjekur për të ndërtuar një skuadër të madhe është pikërisht ai i Barcelonës e për këtë arsye po tentojnë në të gjitha mënyrat të punësojnë çdo ish-pjesëtar të stafit të katalanasve që gjendet në qarkullim.
Pas emërimit të Ferran Soriano si shef ekzekutiv dhe Çiki Begirishtajn si drejtor sportiv, klubi anglez kërkon të tërheqë në Mançester edhe ish-drejtorin e sektorit të të rinjve te Barcelona, Hose Ramon Alesanko.
Ashtu si dy të parët, edhe ky i fundit ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Pep Guardiolës dhe është larguar nga klubi katalanas vetëm pasi Sandro Rosell u emërua presidenti i klubit. Eksperienca e tij në “La Masia” mund të ndihmojë shumë Mançester Sititn që nga viti i ardhshëm do të hapë një akademi të ngjashme me atë të famshmen katalanase, nga kanë dalë disa nga lojtarët më të mirë në qarkullim.
Ndërkohë, kolonia spanjolle në radhët e skuadrës mund të rritet, pasi drejtuesit e ri i kanë vënë syrin talentit 25 vjeçar të Betis Seviljes, Benat. Futbollisti ka hedhur poshtë ofertën për rinovim të klubit të tij dhe mund të largohet falë klauzolës prej 20 milion eurosh që ka në kontratë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 16:01