Tiranë – Përpjekjet e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila po përpiqet të afrojë në radhët e ekipeve kombëtare të moshave disa prej talentëve shqiptarë më të mirë që luajnë dhe stërviten jashtë vendit, ka bërë që disa federata sportive të vendeve të huaja t’i “tremben” një largimi të tyre.
Federata Zviceriane e Futbollit ka nisur të frikësohet se mund të humbasë vëllezërit kosovarë Granit e Taulant Xhaka, shkruan gazeta zviceriane “Blick”. Kjo pasi Federata Shqiptare e Futbollit është duke biseduar me vëllezërit Xhaka, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe vetë Graniti 18-vjeçar.
“Është e vërtetë, ka pasur sinjale nga Shqipëria”, citohet ai.
Graniti dhe Taulanti janë pjesë e skuadrës kampione të Zvicrës, Basel, dhe po ashtu luajnë për grupmoshat e reja të vendit helvetik. I pari luan në mesfushë, ndërsa Taulanti 20-vjeçar është mbrojtës. Një vit më parë, Granit Xhaka fitoi titullin kampion bote me përfaqësuesen U-17 të Zvicrës, gjë që duket se i penalizon edhe për të luajtur me Shqipërinë.
Gazeta “Blick” ka zbuluar se të dy lojtarët me origjinë kosovare nuk mund të luajnë për Shqipërinë për shkak se e kanë veshur fanelën e një skuadre tjetër, pa pasur njëkohësisht pasaportën shqiptare.
Një rast i ngjashëm ndodhi edhe me Migjen Bashën, tepër i kërkuar nga Josip Kuzhe.
“Në bazë të nenit 15 të statutit të FIFA-s, futbollistët që kërkojnë të ndërrojnë përfaqësuesen, duhet të kenë pasur në posedim pasaportën e asaj përfaqësueseje para se të zhvillonin ndeshje zyrtare me një kombëtare tjetër. Graniti e Taulanti kanë zhvilluar ndeshjen zyrtare me përfaqësueset zinxhirë të Zvicrës, ndërsa ata edhe sot kanë në posedim vetëm pasaportën zvicerane”, ka komentuar gazeta “Blick”.
Por, vëllezërit Xhaka kanë luajtur vetëm me grupmoshat e Zvicrës. Ky fakt mund t’i shpëtojë ata, pasi artikulli i 15-të i Statutit të FIFA-s për futbollistë, i lejon ata që ta ndërrojnë përfaqësuesen, nëse kanë kombësi të dyfishtë, pa marrë parasysh në çfarë moshe gjenden lojtarët.
Në janar në Zvicër u zhvillua një grumbullim i Federatës Shqiptare të Futbollit me talente kosovarë që luajnë në këtë vend, por shumë klube zviceriane nuk i lejuan lojtarët e interesuar të paraqiteshin.
Thursday, 31 March 2011 16:56