Mediat franceze kanë bërë të ditur se Arsen Venger dhe përfaqësuesit e pronarit të PSZH, sheikut Al-Tani, kanë zhvilluar një takim javën e kalaur në Paris, por vetë trajneri refuzon të ketë një akord për kalimin në kreun e klubit francez.
“Le Parisien” publikoi lajmin se trajneri është pikasur në ambientet e “Hotel Monceau” në kryeqytetin francez përkrah përfaqësuesve të sheikut Hamad Al-Tani, ndërsa nuk dihet me saktësi natyra e bisedimeve të zhvilluara mes palëve. Gazeta franceze saktëson se gjithçka mund të ketë qenë edhe thjesht një takim miqësor mes teknikut të Arsenalit dhe drejtuesve nga Katari, pasi francezi njihet prej kohësh me drejtuesin e ekipit të kryeqytetit, ndërsa shërben edhe si këshilltar sportiv për televizionin Al Xhazira.
Pas humbjes ndaj Olimpiakos në Ligën e Kampioneve, Venger komentoi shkurtimisht lajmin që u publikua mbrëmë gjerësisht në mediat franceze.
“Ky është informacioni i gabuar, më besoni mua. Unë i kam respektuar gjithmonë kontratat e lidhura”, deklaroi ai, duke bërë të qartë se nuk ka ndër mend të largohet nga Arsenali, ndonëse aktualisht kjo skuadër po kalon momentin më të vështirë që kur drejtimin e saj e ka marrë trajneri francez, pasi gjendet në vendin e 10-të në kampionat. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 December 2012 11:36