Ish-trajneri i Anglisë dhe Mançester Sitit, Sven Goran Erikson, mund të kthehet përsëri në pankinën e një skuadre, duke hyrë në bisedime për të marrë drejtimin e Mynih 1860. Suedezi ishte mes tifozëve në ndeshjen e kësaj skuadre që u mund në fushën e saj nga Këlni me rezultatin 2-0.
Erikson ishte i ftuari i Hamada Iraki, i cili është përfaqësuesi i aksionerit më të madh të klubit, sheikut Hasan Abdullah Ismaik, ndërsa duket se është kandidati kryesor për të zëvendësuar trajnerin Rainer Maurer i cili u shkarkua nga puna.
Drejtori sportiv i Mynih 1860, Robert Shafer, nuk e hodhi poshtë një hipotezë të tillë. “Erikson është një mik i mirë i Iraki, ai ishte në Mynih dhe shfrytëzoi mundësinë për të parë një takim të skuadrës. Nuk e përjashtoj mundësinë që ai të bëhet trajneri i skuadrës në të ardhmen”, tha Shafer.
Trajneri suedez drejtoi Anglinë në çerekfinalet e tre turneve madhorë radhazi, por ka mbetur pa punë që nga tetori i vitit të kaluar kur u shkarkua nga drejtimi i Leicester në kategorinë e dytë angleze.
Aktualisht, ai luan një rol si drejtori teknik i skuadrës tajlandeze BEC Tero Sasana, ku u prezantua në shtator të këtij viti dhe ka më shumë rol imazhi marketingu sesa në fushën e lojës.
Ndërkohë, Mynih 1860 drejtohet nga trajneri i rezervave, Aleksander Shmid, deri në emërimin e një trajneri të ri që ka si synim të nxjerrë ekipin nga kriza e rezultateve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 November 2012 18:41