Titulli kampion në kampionatin shqiptar do të vendoset në javën e fundit. Ky është verdikti që kanë dhënë ndeshjet e javës së 25-të të Kategorisë Superiore, ku janë regjistruar fitoret e ekipeve kryesuese si dhe siguria matematike e rënies së Dinamos në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.
Skënderbeu ka mundur 2-0 në fushën e vet Apoloninë, një skuadër që lufton për mbijetesë dhe që ka bërë shumë rezistencë ndaj ekipit korçar. Një gol i Muzakës në pjesën e parë ka kaluar në avantazh korçarët, por ndeshja ka qenë në dyshim deri në minutat e fundit, kur Xhafaj ka shënuar në portën e fierakëve për të vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Ndërkohë, Teuta ka fituar 5-3 “festivalin e golave” në “Niko Dovana” përballë Pogradecit, skuadrës tjetër që është e përfshirë në luftën për mbijetesë. Durrsakët kanë zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë duke shënuar 4 herë në portën e pogradecarëve, ndërsa në pjesën e dytë kanë menduar më shumë të administrojnë rezultatin.
Si rrjedhojë, festimi i titullit është shtyrë për në javën e fundit të Kategorisë Superiore, ku do të vendoset dhe lufta për mbijetesë. Kjo për shkak se kryendeshja e javës do të jetë Pogradeci-Skënderbeu. Të parët nuk mund të rrezikojnë të humbin ndeshjen pasi rrezikojnë të kalohen nga Apolonia dhe të bien nga kategoria, ndërsa të dytët kanë një pikë avantazh ndaj Teutës dhe duhet të fitojnë medoemos për të evituar që t’u dhurojnë titullin durrsakëve që luajnë përballë Kastriotit të pamotivuar.
Përsa i përket ndeshjeve të tjera, fitorja 3-0 e Vllaznisë në kryeqytet ndaj Dinamos ka vulosur përfundimisht rënien e kësaj skuadre në Kategorinë e Parë, ku vitin e ardhshëm do të kemi luksin të shohim derbin Partizani-Dinamo. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Skënderbeu-Apolonia 2-0
29’ Muzaka, 90’ Xhafaj
Teuta-Pogradeci 5-3
3’ (p) T. Osmani, 18’ Jakupi, 27’ Nika, 39’ Tairi, 58’ A. Hoxha / 48’ Eminhazeri, 70’ Baze, 72’ Kllogjeri
Laçi-Tirana 0-1
26’ Bala
Shkumbini-Flamurtari 1-0
58’ (p) Diop
Tomori-Bylis 2-2
56’, 87’ Bakiu / 44’ Izuçuku, 89’ Shoshi
Dinamo-Vllaznia 0-3
8’ Gjini, 11’ Petroviç, 25’ Gocaj
Kamza-Kastrioti 1-1
59’ Karapici / 76’ Sefa
Renditja
Skënderbeu 54, Teuta 53, Tirana 50, Flamurtari 42, Kastrioti 38, Vllaznia 34, Laçi 33, Shkumbini 33, Bylis 32, Tomori 28, Kamza 27, Pogradeci 19, Apolonia 18, Dinamo 13.
Saturday, 05 May 2012 21:29