Sulmuesi i Liverpulit, Luis Suarez, ka lavdëruar Stiven Xherard, duke zbuluar se mesfushori anglez ishte një nga idhujt e tij para se ai të transferohej nga Ajaksi drejt ekipit anglez dhe të luante përkrah tij.
Uruguaiani që ka shënuar 11 gola në kampionat në këtë sezon, ka zbuluar se pikërisht kapiteni i tij, ishte një nga lojtarët që zgjidhte gjithmonë edhe kur luante në Play Station me miqtë e vet.
“Është e vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar sa lojtar i madh ka qenë Xherard, e vazhdon të jetë për këtë klub. Nuk kanë kaluar as katër vite nga koha kur unë luaja Play Station duke zgjedhur gjithmonë Liverpulin dhe duke zgjedhur atë gjithmonë si lojtar, pasi ishte ndër më të preferuarit e mi”, ka treguar sulmuesi.
“Tani luaj përkrah tij dhe kjo është si të qëndrosh përkrah heroit tënd”.
Suarez më pas përsëriti se nuk i shkon ndër mend të largohet nga Liverpuli, duke deklaruar se është i lumtur që është pjesë e një klubi kaq legjendar.
“Jam shumë, shumë i lumtur këtu te Liverpul. Nuk mund të jesh më i lumtur se kaq. Liverpuli është klubi në të cilin kam ëndërruar gjithmonë të luaj, është si një ëndërr që realizohet për mua”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 17:11