Luis Suarez është gati të largohet nga Liverpuli. Sulmuesi problematik i “të kuqve” duket se është mërzitur shumë nga dënimi prej 10 ndeshjesh që i është dhënë pasi kafshoi Branislav Ivanoviç të Çelsit dhe për këtë arsye dëshiron të largohet.
“Jam i pakënaqur pasi kjo mund të shkatërrojë ëndrrën time për t’u njohur si sulmuesi më i mirë në Angli në këtë sezon”, tha uruguaiani që garon me Robin Van Persin për të fituar “Këpucën e Artë” të kampionatit anglez.
Për shkak të dënimit të dhënë nga Federata Angleze, Suarez jo vetëm që nuk do të luajë në 4 ndeshjet e mbetura të këtij kampionati, por edhe në 6 të parat e sezonit të ardhshëm. Sipas familjes së tij në Uruguai, kjo çështje e ka “dëmtuar moralisht” sulmuesin.
Javën e ardhshme, menaxheri i tij, Pere Guardiola, do të takohet me drejtuesit e Liverpulit për të diskutuar për të ardhmen e lojtarit, i cili mendon se tashmë ka një reputacion të keq në Angli dhe çfarëdo që të ndodhë, do të jetë gjithmonë faji i tij.
“Nuk po mendoj për të ardhmen time por për imazhin tim. Unë nuk jam një lojtar i dhunshëm. Ajo që ndodhi me Ivanoviç ishte instinktive dhe më vjen shumë keq”, ishin fjalët e sulmuesit.
Për uruguaianin janë interesuar shpesh klubet më të mëdha në Evropë, por pas incidenteve të tij të fundit, duket se nuk do të ketë edhe aq shumë oferta në adresë të tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 April 2013 16:24