Andrea Stramaçioni, në një intervistë të dhënë për “Sky Sport”, ka zbuluar strategjitë e merkatos së Interit, duke filluar nga emrat që përmenden në merkato kohët e fundit si përforcime të mundshme.
“Mudingai është një futbollist që na interesonte por ka patur disa probleme dhe kjo ka ngadalësuar pak marrëveshjen e mundshme. Paulinjo nuk e di me siguri nëse është një objektiv i ynë real. Zëvendësuesi i Maikon? Ali Sisoko është i majtë, ndërsa Debushi duket asikur ka karakteristika më të përafërta me ato të brazilianit”.
Më pas është folur edhe për futbolistët zikaltër që duket se kanë oferta apo do të largohen nga kjo skuadër për arsye të ndryshme, ku dy emrat më të spikatur janë padyshim Uesli Shnajder dhe Xhampaolo Pacini.
“Për sa më takon mua, Shnajder është i pashitshëm. Ai është një lojtar te i cili kam vënë shumë shpresa. Edhe Ranokia, në sezonin e kaluar ka gjetur shumë hapësira me mua, ndaj i kam kërkuar klubit rikonfirmimin e tij pasi kam besim të madh në potencialin e tij”.
“Pacini është një sulmues i madh, por klubi është detyruar të bëjë vlerësime në bazë të asaj që është ideja ime taktike e skuadrës së këtij sezoni. Zgjedhja ime e parë në sulm është Diego Milito, e duke njohur këtë mendim timin, klubi ka menduar se duhet gjetur një sistemim i ri për Pacinin”.
“E ardhmja? Kutinjio është një lojtar shumë interesant, eksperienca në Spanjë i ka shërbyer shumë. Por shpesh harrohet që ai është vetëm një djalosh 20 vjeçar, që ka ende shumë hapësira për përmirësim”, deklaroi trajneri i Interit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 10:01