Andrea Stramaçioni ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për humbjen përballë Lacios në një ndeshje ku skuadra e tij ka krijuar lojën dhe rastet më të mira, por ka dalë nga fusha me 0 pikë. Sipas tij, ishte meritë e kundërshtarëve, por sidomos e episodeve kundër ekipit zikaltër.
“Lacio ka bërë një pjesë të parë më të mirë se ne. Duhet të jemi të ndershëm dhe të pranojmë se ata na vunë në vështirësi edhe pse nuk krijuan raste të rrezikshme. Por në pjesën e dytë kemi hyrë në fushë me një modul tjetër dhe me shpirtin e duhur. Meritonim të kalonim ne në avantazh por episode të ndryshme ishin kundër nesh dhe pastaj Klose, që është një kampion, ka bërë një gol të jashtëzakonshëm. Shpesh duhet që t’i bësh komplimente edhe kundërshtarëve”, tha Stramaçioni.
Trajneri i Interit nuk fshihet kur deklaron se edhe gjyqtarët kanë gisht në këtë humbje për disa episode të diskutueshme gjatë sfidës së luajtur mbrëmë.
“Ishte një vërshëllime e pakuptimtë në një kundërsulm kur ishim 3 kundër 2, për një faull joekzistent të Milito ndaj Biava. Më pas, ishte një mbajtje e dyshimtë në zonë. Këto të gjithë janë ato që mund të cilësohen si episode jo në favorin tonë”, ishte komenti i trajnerit të Interit, që rrezikon të humbasë përsëri terren në luftën për titull si ndaj Juventusit, ashtu edhe ndaj Napolit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 10:35