Lamtumira e Valentino Rosit nga Dukati i ka hapur rrugë debatit publik mbi shkaqet që çuan pilotin italian të braktisë projektin për t’u kthyer te Jamaha dhe arsyen pse në dy vite, gjithçka ishte një dështim total për skuadrën italiane. Sipas Kejsi Stoner, fajin kryesor e mban mbi shpatulla vetë Valentino Rosi.
“Valentino nuk dëshiron të japë maksimumin në një motor që nuk është perfekt, e ka pranuar edhe vetë ai. Me sa duket, nuk dëshiron të impenjohet për Dukatin. Mua më vjen shumë keq për këtë skuadër, pasi Rosi nuk ka bërë gjë tjetër përveç se është ankuar për motorin në dy vitet me ta. Për më tepër, njerëzit ia falin një gjë të tillë”, ishin fjalët e australianit për “Tensports”.
Stoner nuk është ndalur këtu, por ka sulmuar ashpër edhe drejtuesit e skuadrës italiane, që sipas tij kanë gabuar gjithçka, duke filluar nga projektuesi i Dukatit.
“Burges thoshte se mund t’i sistemonte problemet e motorit për 80 sekonda, por në dy vite nuk kanë bërë asnjë lloj progresi. Që ditën e parë të sezonit, ata u deshën të tërhiqnin të gjitha fjalët që kishin thënë”, përfundoi Stoner.
Këto fjalë duket se nuk e kanë kënaqur shumë Rosin, i cili është kundërpërgjigjur menjëherë ndaj një prej rivalëve të tij më të fortë në vitet e fundit, që në përfundimin e sezonit do të braktisë garat e motoçiklizmit.
“Gjithmonë shumë i këndshëm miku im Kejsi, ah ah ah”, ishte komenti i italianit në adresën e tij në Twitter. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 August 2012 13:23