Parashutisti austriak Feliks Baumgartner ka arritur të thyejë 3 rekorde botërore me një hedhje të realizuar në hapësirë, ku ishte ngjitur me një ballonë me helium.
Gjatë rënies së lirë, austriaku ka arritur të kalojë shpejtësinë e zërit (që është 1193 km/orë), hera e parë në historinë e njerëzimit për një njeri që udhëton pa ndihmën e një mjeti si aeroplani apo raketa. Rekordi i dytë është hedhja nga lartësia më e madhe që është provuar ndonjëherë, duke kaluar kuotën 39000 metra (rekordi i mëparshëm i përket Xho Kitinger i cili në vitin 1960 kreu të njëjtën hedhje nga kuota 31333 metra). Ndërsa rekordi i tretë është i ngjitjes më lart me një ballonë, pasi rekordi i mëparshëm mbahej nga Viktor Prater dhe Malkolm Ros të cilët në vitin 1961 arritën kuotën 34668 metra.
“Ishte më e vështirë se e mendonim. Mendoja se gjatë rënies mund të humbja ndërgjegjen për shkak të dhunës së rënies dhe shpejtësisë. Ka patur momente kur mendova se do të humbas përfundimisht dëgjimin. Atje ka shumë pak trysni, nuk e dëgjon ajrin. Por kam qëndruar i ndërgjegjshëm gjatë gjithë kohës, e dija gjithmonë se çfarë po ndodhte”, ka shpjeguar Baumgartner rënien e tij, sidomos në minutën e parë kur rrotullohej me shpejtësi në ajër dhe kaloi shpejtësinë e zërit. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 08:01