Victor Valdes, Gerard Pique, Sergio Busquets, Andres Iniesta, Pedro Rodriguez dhe David Villa janë thirrur nga kombëtarja spanjolle për turneun e Amerikës, që do të zhvillohet në qershor.
Pas finales së Wembleyt, gashtë lojtarët do ta mbyllin sezonin me një ndeshje miqësore kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 qershor dhe një tjetër miqësore kundër Venezuelës, më 7 qershor.
Selektori i Spanjës, Vincente Del Bosque, ka vendosur të pushojw Carles Puyolin dhe Xavi Hernandezin, që ishin pjesë e skuadrës në Kupën e Botës.
I pyetur për mospërfshirjen e Puyolit dhe Xavit në skuadër, Del Bosuqe tha: “Puyol ka pasur mjaft lëndime, që e kanë munduar dhe me Xavin kam folur personalisht, me të dhe skuadrën, dhe për shkak të problemeve me thembrën e këmbës, vendosëm ta pushojmë.”
Nuk janë vetëm këta lojtarë që pas finales së Wembleyt do të luajnë përsëri. Alves dhe Adriano janë pjesë e Kombëtares së Brazilit, e cila do të zhvillojë dy miqësore, kundër Holandës dhe Rumanisë, ndërsa muajin tjetër do të tregohet lista përfundimtare e lojtarëve që do të luajnë në Kupën e Amerikës.
Për Holandën do të luajë Ibrahim Afellay, në miqësoren kundër Brazilit.
Lista komplete e Kombëtares Spanjolle:
Portier: Iker Casillas (Real Madrid), Pepe Reina (Liverpool), Victor Valdes (Barcelona)
Mbrojtësa: Alvaro Arbeloa, Raul Albiol, Sergio Ramos (Real Madrid), Gerard Pique (Barcelona), Carlos Marchena, Joan Capdevila (Villarreal), Andoni Iraola (Athletic Bilbao).
Mesfushorë: Xabi Alonso (Real Madrid), Sergio Busquets (Barcelona), Santi Cazorla (Villarreal), Andres Iniesta (Barcelona), Bruno Soriano, Borja Valero (Villarreal).
Sulmues: David Villa (Barcelona), David Silva (Manchester City), Fernando Llorente (Athletic Bilbao), Fernando Torres (Chelsea), Pedro Rodríguez (Barcelona), Manu Del Moral, Álvaro Negredo (Sevilla).
Në anën tjetër Maurizio Zamparini, president i skuadrës siciliane Palermo, në një intervistë për “Corriero dello Sport”, ka thënë se perla e tij në skuadër, argjentinasi Javier Pastore, do t’i bashkohet Barcelonës.
Zamparini ka kthyer përgjigjen gazetarit shumë shkurt rreth së ardhmes së Pastores.
“Pastore? Tek Barça. Atë e kërkojnë Inter, Juve dhe Milan, por fati i tij është që do të luajë me Messin”, përfundoi Zamparini rreth të ardhmes së Pastores.
Nëse argjentinasi i shumëkërkuar do të kalojë tek Barcelona, do të bëhet i katërti argjentinas në skuadrën blaugrana pas Messit, Mascheranos dhe Militos dhe, padyshim, Barcelona në gjithë këtë do të fitojë një superlojtar.
Thursday, 26 May 2011 11:49