Grumbullimi i kombëtares spanjolle të futbollit është kthyer tashmë në një seri të gjatë skandalesh që kanë lidhje me frekuentimin e vazhdueshëm të prostitutave nga lojtarët iberikë. Pas episodit të vjedhjes së parave në hotelin në Recife, lojtarët spanjollë tashmë janë protagonistë të një tjetër feste me pullë të kuqe, por këtë radhë të mbetur në tentativë, pasi punëtorët e hotelit dhe delegatët e FIFA-s nuk i kanë lejuar që ajo të zhvillohet siç kishin planifikuar futbollistët.
Sipas “Uol Esporte”, pas fitores ndaj Nigerisë, lojtarët kanë dalë të festojnë në Fortaleza, duke u kthyer në hotel në orën 4 të mëngjesit. Një lojtar ka sjellë me vete 10 prostituta, të cilat dëshironte t’i ngjite lart në dhomën e tij, gjë që nuk u lejua nga oficerët e sigurisë.
Lojtari, ashtu si edhe shumë shokë të tij që iu bashkuan, kundërshtuan vendimin e hotelit, duke pretenduar që këto femra të futeshin brenda. Si rrjedhojë ka nisur një diskutim i ndezur që është mbyllur me dorëzimin e lojtarëve. Megjithatë, një prej tyre ka arritur që të kalojë fshehurazi një prej prostitutave duke e ngjitur deri në katin e 15-të. Por aty, ai është ndalur nga një prej delegatëve të FIFA-s. Këtu situata ka degjeneruar edhe në të shtyra mes palëve dhe thirrje që kanë shqetësuar personat e tjerë që qëndronin në hotel.
Në fund edhe kjo prostitutë është larguar nga hoteli, ndërsa lojtarët kanë reaguar duke fluturuar nga dritaret e tyre në shenjë protestë disa objekte si telekomandat e televizorëve apo sapunët. Për këtë incident të dytë nuk ka pasur asnjë reagim nga Federata Spanjolle apo vetë futbollistët të cilët përgënjeshtruan me forcë incidentin e parë që ndodhi në Recife. Megjithatë, është bërë e ditur se në këto festime nuk kanë marrë pjesë Zherard Pike dhe Iker Kazijas, të cilët ishin me partneret respektive në darka familjare. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 June 2013 09:28