María Hose Klaramunt, përgjegjësja e ekipit kombëtar spanjoll, ka bërë ftesën zyrtare për David Vija dhe Karles Pujol, që këta të fundit të marrin pjesë në grumbullimin e ekipit kombëtar në Poloni. Visente Del Boske dëshiron që të dy lojtarët që janë shpallur Kampionë Evrope dhe Bote me Spanjën, të rrinë me shokët e tyre gjatë kohëzgjatjes së Euro 2012. Të dy mund të vazhdojnë aty riaftësimin nga dëmtimet me stafin mjekësor të ekipit kombëtar spanjoll.
Vija është mësuar se do të marrë pjesë në Euro 2012 si komentator televiziv dhe me shumë mundësi do të pranojë që të qëndrojë me shokët e kombëtares gjatë periudhës së aktivitetit, ndërsa edhe Pujol e sheh idenë me sy të mirë. Të dy këto lojtarë cilësohen si pjesë shumë e rëndësishme e grupit dhe kanë qenë vetë futbolistët e kombëtares spanjolle që kanë kërkuar me ngulm praninë e tyre në këtë aktivitet.
Kjo nuk është hera e parë që me kombëtaren spanjolle bashkohen futbollistë të dëmtuar, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Botërorin 2002, ku Santiago Kanizares ishte pjesë e skuadrës, ndonëse u dëmtua pak ditë para zhvillimit të aktivitetit.
Para kësaj ftese, Pujol kishte bërë të ditur se do të ishte një tifoz i zjarrtë i kombëtares dhe do të dëshironte të ishte i pranishëm nëse ky ekip do të merrte kupën. “Dua ta fitoj trofeun me shokët e mi të skuadrës”, ishin fjalët e kapitenit të Barcelonës që ditën kur u mësua se dëmtimi nuk do t’i mundësonte pjesëmarrjen si lojtar në Euro 2012. Tani ëndrra e tij mund të bëhet realitet. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 13:20