Shkodër – Të mërkurën (sot) në orën 17.00, në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës do të luhet ndeshja e dytë e turit gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë midis Dinamos dhe Vllaznisë. Në pritje të këtij takimi, i cili përcakton edhe njërin nga ekipet finaliste të Kupës së Shqipërisë, kuqeblutë kanë zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore anti-Dinamo në stadiumin “Loro Boriçi”.
Gjatë prononcimit për mediat, trajneri Mirel Josa ka bërë të ditur gatishmërinë e të gjithë futbollistëve për të dhënë më të mirën në këtë takim. Josa është shprehur optimist, që falë edhe fitores së ndeshjes së parë me rezultatin 2-1 në “Loro Boriçi”, Vllaznia do të arrijë patjetër të kualifikohet në finale.
Sipas tij, edhe pse Vllaznia është në avantazh të një goli, do të shpalosë që në fillim të takimit veprime sulmuese në fushën e lojës, duke synuar të shënojë e para në portën e Dinamos, për t’ua bërë edhe më të vështirë bluve synimet e tyre për të përmbysur rezultatin e arritur në ndeshjen e parë të luajtur dy javë më parë në “Loro Boriçi”.
Sipas presidentit te klubit Vllaznia, Valter Fushaj, në mbështetje të skuadrës për këtë ndeshje do të jetë edhe një numër i madh tifozësh shkodranë, për të cilët presidenca ka vënë në dispozicion mbi 10 autobusë falas që do të udhëtojnë mesditën e sotme drejt Tiranës. Sipas tij, për të nxitur kualifikimin në finale, presidenca ka akorduar për skuadrën një premio prej 15 mijë euro.
Wednesday, 06 April 2011 07:09