Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës, Ferran Soriano, ka konfirmuar në një intervistë se Zhoze Murinjo ishte i përzgjedhuri i drejtuesve të klubit për t’u ulur në stolin e ekipit katalanas në vitin 2008, para se të bëhej zgjedhja e Pep Guardiolës.
“Po, Murinjo ishte i përzgjedhuri i preferuar para Pep, këtë mund ta konfirmoj. Murinjo është një trajner i madh dhe ka treguar një sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e tij”, tregoi Soriano në një intervistë për “Eurosport”.
“Ai kishte punuar më përpara te Barcelona dhe dinte se si duhej të luante skuadra, ndonëse realiteti aktual është krejtësisht ndryshe. Mjafton të shohësh Interin e tij apo Real Madridin për të kuptuar se futbolli i tij është krejtësisht i ndryshëm nga ai i Barcelonës”, ishte batuta e tij.
Ai ka treguar se kontrata me trajnerin portugez përfshinte një “nivel shumë të lartë stresi” për shkak të sjelljes së teknikut. “Për këtë arsye vendosëm që të mos nënshkruanim me të. Por ai e pranoi vendimin tonë si profesionist”.
Sipas Sorianos, Barça e sotme është prodhim i një punë që ka zgjatur 8 vite dhe jo vetëm në periudhën e Guardiolës. “Struktura e ekipit është ndërtuar që të luajë gjithmonë në gjysmëfinalet apo finalen e Ligës së Kampioneve, duke kërkuar titullin kampion apo Kupën e Mbretit në çdo edicion. Tito Vilanova tashmë trashëgon një situatë shumë më të mirë se ajo që trashëgoi Pep Guardiola në kohën e tij”, deklaroi Soriano. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 May 2012 18:21