Nuk ka siguri dhe do të jetë e vështirë të shënohet goli i parë. Trajneri i Bosnjë-Hercegovinës, Safet Sushiç është shumë i ndërgjegjshëm se çfarë rezistence do të ketë përballë në Zenicë, ndaj fton tifozët e ekipit të tij që të bëjnë durim.
Por, trajneri dhe lojtarët duhet të përballojnë edhe akuzat për klane të krijuara në gjirin e ekipit përfaqësues.
Gjithsesi, ndaj Shqipërisë, për eleminatoret e Euro 2012, Sushiç dhe ekipi i tij do të jenë vetëm në sulm. Skema është e qartë, të paktën për pjesën sulmuese, në fushë do të jenë dy lojtarë në repartin ofensiv dhe me shumë mundësi në krah të Edin Xhekos do të jetë Vedat Ibisheviç, autor i golit ndaj shqiptarëve në ndeshjen e parë në Tiranë.
“Ndaj Shqipërisë do të luajmë në sulm, do të jemi me dy sulmues, – tha Sushiç, cituar nga “Dnevni Avaz” dhe mediat e tjera të vendit të tij, – e dimë se Shqipëria është kundërshtar i fortë, i vështirë ndaj i lutem tifozëve që të bëjnë durim. Gjithsesi, jam i sigurt se mund të fitojmë, i kemi lojtarët për të shënuar”.
Cilat mund të jenë klanet tek Bosnjë-Hercegovina? Mediat kanë dhënë një emër: kapitenin Emir Spahiç, mbrojtësin e qendrës të Monpeljesë në Francë dhe Sushiç, për të dalë përballë këtyre akuzave, doli dje në konferencë për shtyp në krah të kapitenit të tij, i cili foli shkurt: “Më kanë akuzuar për klane edhe ndaj trajnerëve të tjerë, jo vetëm ndaj trajnerit të tanishëm, por nuk dua të merrem me këto sepse janë budallallëqe”.
Trajneri boshnjak thotë se ka qendruar zgjuar për orë të tëra duke ndjekur videot e ndeshjeve të Shqipërisë, por edhe ndeshjet e tjera të grupit tonë. “Kam ndjekur çdo ndeshje, kam bërë çdo kombinim të mundshëm për skuadrën që do të nxjerr në fushë, di t’iu them vetëm se do të nxjerr skuadrën që e mendoj si më të mirën për të fituar ndeshjen”.
Tuesday, 07 June 2011 19:04