Londër – Çelsi pritet ta ketë të lehtë me Kopenhagenin përballjen e sotme në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, pas fitores 2-0 të arritur në “Parken”, në takimin e pare.
Formacioni nga “Stamford Bridge”, që fitoi Premier League dhe FA Cup sezonin e kaluar, në vitin e parë nën urdhrat e trajnerit Carlo Ancelotti, tashmë e ka të hapur rrugën drejt çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.
Kopenahagen ishte një nga kundërshtarët më të lehtë në raundin me 16 skuadra dhe me eliminim direkt dhe pak besojnë se ata do të paraqesin vështirësi për formacionin e Ancelottit në ndeshjen e sotme, pas dy golave të Nicolas Anelka në ndeshjen e parë, gjë që praktikisht pothuajse ka mbyllur çështjen e kualifikimit.
Këto dy skuadra më parë, në kupat e Evropës, janë ndeshur vetëm një herë. Në edicionin 1998/99 të Kupës së Kupave, në raundin e dytë, Çelsi fitoi në Danimarkë falë një goli të shënuar nga Brajan Laudrup. Ndërkohë që takimi i parë i zhvilluar në Londër mbaroi 1-1.
Për sa i përket përballjeve të Kopenhagenit me skuadrat angleze duhet thënë se nuk ka shumë histori. Danezët kanë fituar dhe kanë barazuar nga një takim, ndërkohë që kanë pësuar dy humbje jashtë shtëpisë së tyre. Kopenhageni ka mundur 1-0 Mançester Junajtidin në edicionin 2006/07 të Ligës së Kampioneve si dhe ka barazuar 2-2 me Manchester Sitin në edicionin 2008/09 të Kupës UEFA, ndërkohë që në Mançester ekipi danez ka humbur 3-0 me Junajtidin dhe 2-1 me Sitin.
Trajneri i Kopenhagenit, Stale Solbaken, do të ketë mundësi që të rreshtojë sot formacionin më të mirë. Tekniku danez mendohet se do të luajë më skemën e tij të preferuar 4-4-2.
Ndërkohë që për të bërë formacionin Ançeloti i Çelsit do ta ketë më të lehtë, pasi ka vendosur të aktivizojë rezervat.
Wednesday, 16 March 2011 13:40