Liga e Kampionëve do të prezantojë sonte takimin gjysëmfinal, klasiken e famshme të Spanjës, Real Madrid – Barcelona.
“El Classico” e 4-të për këtë sezon ka nisur me polemika për arbitrin. “Pse Guardiola ankohet për gjyqtarin pa filluar ndeshja?”. “Është e para herë që dëgjoj një trajner futbolli të ketë pakënaqësi ndaj gjyqtarit para fillimit të ndeshjes”.
Me këto fjalë i është përgjigjur Hoze Mourinjo ankesave të Pep Guardiolës për gjyqtarin e “El Clasico-s”. Debati mes trajnerëve të Realit dhe atij të Barcelonës nisi dy ditë më parë, kur ishte parashikuar që gjysmëfinalen e parë në Ligën e Kampionëve mes dy gjigantëve spanjollë në “Bernabeu”, ta arbitronte portugezi Pedro Proença. Kjo gjë nuk e la fort të kënaqur Guardiolën, i cili deklaroi jo pa doza ironie: “Gjyqtar portugez? Bukur, Mourinjos duhet t’i vijë mirë”.
Menjëherë UEFA ndryshoi “bilbilin” e sfidës së “Bernabeut”, duke caktuar gjermanin Volfgang Shtark, ndërkohë që ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Mourinjos. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, portugezi i stolit madrilen deklaroi se “është e para herë që dëgjoj një trajner të kritikojë zgjedhjen e një gjyqtari para zhvillimit të ndeshjes”.
Sfida e sotme mund të jetë vendimtare, por Mou përpiqet të ulë tensionin tek të tijtë. “Skuadra është e qetë, duhet ta luajmë në maksimum këtë gjysmëfinale dhe gjyqtari nuk është i rëndësishëm. Vetëm duhet një gjykim me nivel, që nuk ndihmon askënd, por që zbaton rregullat dhe ndihmohet nga lojtarët. Asnjë rezultat i ndeshjes së parë nuk mund të jetë vendimtar në të dytën. Nuk jemi të fiksuar, por thjesht shpresojmë të shkojmë deri në fund. Asnjëra prej skuadrave nuk është e favorizuar”, është shprehur Mourinjo.
Ndërkohë Barcelona dhe Guradiola kanë humbur mesfushorin Andres Iniesta për sfidën e sotme pasi ka mbetur viktimë e një tërheqjeje. Guadiola konfirmoi se lojtari i tij mungon “100 për qind”, por nuk saktësoi emrin e zëvendësuesit të tij.
Wednesday, 27 April 2011 11:59