Barcelona dhe Real Madridi, skuadrat që kanë luajtur pesë takime në sezonin e kaluar, dhe ku në përgjithësi skuadra e Pep Guardiolas doli fituese, sonte do të përballen në ndeshjen e parë të vlefshme për Superkupën e Spanjës. Kjo ndeshje, si të gjitha “El Classicot” tjera, ka tensione brenda dhe jashtë fushës, pasi që këto dy skuadra njihen si rivale të përbetuara.
Barcelona në sezonin e kaluar fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve, duke fituar lëvdata në mbarë botën për stilin e lirë që rrjedhë nga lojtarët e tyre, dhe ekspertet e futbollit në mbarë botën nuk kanë hezituar ta quajnë këtë skuadër si më të mirën në histori të futbollit.
Mourinho, i cili është i njohur për teknikën mbrojtëse, vërtet dëshiron një fitore në Superkupë. Ndeshja e parë do të luhet në Bernabeu, ndërkohë që ndeshja e kthimit do të luhet më 17 gusht, në Camp Nou.
Ndeshja e së dielës (sonte) në Santiago Bernabeu të Madridit, do të luhet në masa të rrepta sigurie dhe është klasifikuar një takim me rrezikshmëri të lartë, pas pesë lojërave të sezonit të kaluar.
Nëse Sergio Ramos është i tensionuar dhe bën ndonjë problem, sikurse jemi mësuar ta shohim gjithmonë, atëherë Reali ai mund të pësojë edhe një disfate tjetër 5-0, sikur se në sezonin e kaluar, sepse kjo ndeshje don përkushtim dhe koncentrim maksimal.
Katër ndeshje për 18 ditë në muajin prill në sezonin e kaluar kanë kaluar disi të qeta, pasi që Reali u mundua që me Kupën e Mbretit të marrë krenarinë, mirëpo Barcelona mori diçka shumë më të rëndësishme.
“Sigurisht që ne do të përpiqemi të kemi një vit të mirë,” tha Ronaldo.
“Unë nuk jam duke menduar për figurën time (nga sezoni i fundit kur ai shënoi 40 gola në kampionat). Unë vetëm dua të luaj dhe të punoj për ekipin dhe të fitoj trofe për të cilët ne punojmë shumë”, tha ai.
Dyshimi i vetëm i Jose Mourinho është në anën e djathtë të mesfushës, se cili lojtar do të luajë, Fabio Coentrao, apo Angel Di Maria, të cilët janë duke luftuar për një vend.
Mourinho e ka zgjedhur argjentinasin Di Maria në atë pozitë, në të gjithë sezonin e kaluar, por Coentrao, është nënshkrimi më i shtrenjtë i klubit në këtë verë dhe ka qenë mbresëlënës në para-sezonë.
Barcelona, e cila e demoloi Manchester Unitedin në Champions League, e pati eliminuar edhe Real Madridin, të cilit i dogji fort dhe ende nuk e ka harruar atë eliminim.
Për shkak të një dëmtimi, Barça ketë herë nuk do ta ketë lojtarin kryesor të mesfushës, Xavi Hernandez, i quajtur ndryshe si “Maestro Kamrieri”. Gjithashtu ne dyshim janë edhe Gerard Pique, i njohur ndryshe si “Waka Waka”, dhe Sergio Busquets, i njohur si “Aktori i Hollivudit”.
Pique ka pësuar një tërheqje muskulore kundër Italisë, por ka më shumë gjasa për të luajtur, ndërsa Busquets ka një brinjë të thyer dhe është në dyshim.
Zëvendësim i mundshëm i Xavit është Thiago Alcantara, i cili luajti në ekipin spanjoll U-21, që fitoi Kampionatin Evropian të kësaj vere dhe, gjithashtu, u shfaq kundër italianëve, të mërkurën, duke e bërë debutimin e tij të plotë në Kombëtaren Spanjolle.
Javier Mascerano është në këmbë, që të plotësojë rolin qendror të mbrojtjes, një detyrë që ai po e shijon.
“Unë kam një përvojë të luaj në qendër të mbrojtjes, kështu që mos keni merak, ne duam ta fitojmë Superkupën, e ajo do të na japë një shtysë të madhe përpara fillimit të sezonit”, tha ai.
Një tjetër, alternativë për këtë pozicion është i Eric Abidal, i cili tani është plotësisht i shëruar nga tumori në mëlçi.
Superylli, Lionel Messi, u kthye në trajnim të hënën, pas një pushimi të zgjatur pas Copa Americas dhe duhet të jetë gati për të luajtur me transferin e ri, Alexise Sanchez, i cili është në dispozicion të trajnerit Guardiola.
Barcelona ka mbërritur në kryeqytetin spanjoll dje, një ndryshim ky i planit të tyre nga sezoni i fundit, ku për lojërat në Spanjë udhëtonin po atë ditë që luanin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 August 2011 14:15 