Pol Skols mund të ishte bërë pjesë e kombëtares angleze në Euro 2012 nëse Roi Hodgson do ta kishte ftuar atë. Por tekniku i përfaqësueses angleze vendosi të mos e bënte një gjë të tille edhe pse në ekip mungonin dy mesfushorë të rëndësishëm si Garet Berri dhe Frenk Lampard.
Futbollisti ka kujtuar se ka marrë një vendim të gabuar në vitin 2010, duke vendosur që të mos ishte pjesë e Anglisë në Botërorin e vitit 2010.
“Këtë radhë nuk mu dha shansi të vendosja. Nuk e di e si mund t’i isha përgjigjur, por më bëhej qejfi që në atë periudhë flitej rreth meje. E përsëris që askush nuk më telefonoi ndaj tani kjo çështje ka më pak rëndësi”, deklaroi veterani i Mançester Junajtid.
Më pas ai ka treguar edhe si i ka përjetuar muajt larg futbollit të luajtur dhe se vendimi për t’u kthyer ka ardhur edhe si pasojë e faktit që ai ka qëndruar gjithmonë në ambientet e klubit.
“Dëshiroja të luaja përsëri. Në dy muajt e parë ishte gjithçka në rregull dhe nuk ndjeja shumë mungesën e fushës së lojës. Por sapo u ktheva duke stërvitur rezervat e Mançester Junajtid në qendrën stërvitore të klubit, duke qenë pranë ish-shokëve të skuadrës, u bë gjithçka më e vështirë, sidomos duke parë dëmtimet e njëpasnjëshme në skuadër. Ndoshta nëse do të kisha qëndruar larg klubit, gjithçka do të kishte qenë në rregull dhe unë do të vazhdoja të qëndroja në pension”, komentoi mesfushori anglez. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 July 2012 10:01