Trajneri i kombëtares braziliane të futbollit, Luiz Felipe Skolari, duket se është i sigurt se Neimar do të transferohet te Barcelona gjatë verës, aq sa ka lëshuar një koment që lë shumë pak vend për dyshime.
“Neimar do të jetë një blerje e madhe për Barcelonën dhe përkrah Mesit do të kthehet në një idhull te kjo skuadër”, ishin fjalët e trajnerit brazilian për “Canal+”, duke lënë të kuptohet qartësisht se ylli i kombëtares që ai drejton do të bëhet pjesë e katalanasve.
“Neimar mund të luajë me Barçën që në fazën përgatitore të kampionatit”, ishte komenti i trajnerit, duke komentuar aktivizimin e lojtarit në Kupën e Konfederatave. Por më pas, duke kuptuar se ndoshta kishte treguar më shumë se sa ishte në dijeni publiku, u mundua të luante rolin e një personi që thjesht po bënte hipoteza. “Unë nuk di asgjë të sigurt!”, ishte komenti i tij i fundit.
Por me fjalët e Skolarit bëhet më e qartë e ardhmja e lojtarit, i cili tashmë duket se ka vendosur përfundimisht të largohet nga Brazili, sepse pikërisht trajneri i “seleçaos” është personi nga i cili ai ka marrë më shumë këshilla në kohët e fundit. Përfaqësues të Barcelonës gjenden prej disa ditësh në Brazil, pasi po kontaktojnë me Santos për të bërë të mundur transferimin e futbollistit. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 May 2013 11:33